Mbledhja e tretë Kosovë-Shqipëri, 7 marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit ekonomik

marrevshje-340x200

Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës zhvilluan sot më 3 qershor mbledhjen e tretë të përbashkët në Prishtinë në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Në qendër të takimeve të ndryshme të të dyja shteteve ishte bashkëpunimi i ngushtë dypalësh në të gjitha fushat, veçanërisht ndërveprimi ekonomik, kulturor dhe politik.

Kryministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa shprehën përkushtimin e dyanshëm të qeverive për vazhdimin e bashkëpunimit në interes të qytetarëve të dy shteteve. Takimet u karakterizuan nga komentet pozitive dhe optimiste rreth marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë.

“Dy vendet tona kanë hyrë në një fazë të re, ku çdo ditë konfirmohet që Shqipëria mbetet dhe do të jetë partneri më strategjik në rajon i Kosovës dhe Kosova do të jetë partneri më i natyrshëm i Shqipërisë në Evropën Juglindore”, – tha Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Në përfundim të mbledhjes, ministrat e dy qeverive nëshkruan shtatë marrëveshje bashkëpunimi midis dy vendeve kryesisht në fushën e energjetikës dhe tregtisë. Në konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrave Rama dhe Mustafa, kreu i Qeverisë Shqiptare tha:

“Ajo që patë sot është kurorëzimi i një pune të gjatë përgatitore, jo thjesht për të bashkërenduar dokumente e marrëveshje, por për të çuar përpara një plan strategjik integrimi të hapësirës sonë të përbashkët të ndërveprimit ekonomik dhe kulturor, sepse ai politik është ndërveprim që nuk ka munguar asnjëherë”.

Ndërsa Isa Mustafa vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe tha se ky bashkëpunim duhet të theksohet edhe në sektorin ekonomik.

“Ne duhet ta bëjmë më të lehtë shkëmbimin ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve dhe tërheqjen e investimeve të huaja,pasi jemi vende të vogla dhe nevojitet një treg më serioz, i cili do të jetë tërheqës për investitorët e jashtëm”, theksoi Mustafa.

Më poshtë po japim marrëveshjet e firmosura më 3 qershor nga qeveritë e dy vendeve.

  1. Marrëveshja për Njohjen e Ndërsjellë të Certifikatës së Testimit/kalibrimit të Tahografit të Mjeteve Rrugore;
  2. Marrëveshja për Bashkëpunim mes të autoriteteve tatimore dhe doganore të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e hetimeve administrative, hetimeve tatimore dhe doganore;
  3. Marrëveshja për Krijimin e Qendrës së Përbashkët Trajnuese;
  4. Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës dhe Ministrisë së Shtetit për Inovacion dhe Administratë Publike te Republikës së Shqipërisë për ngritjen e kapaciteteve në realizimin e reformave ne fushën e Mirëqeverisjes dhe administrimit publik;
  5. Marrëveshja për Partneritet për Bashkëpunimin Ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë;
  6. Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor te Kosovës dhe Ministrisë së Mjedisit të Shqipërisë;
  7. Memorandumi Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë se Republikës së Shqipërisë.
Pin It