Themelohet Sindikata e të Vetëpunësuarve

sindikata-300x170

Nisma Thurje dhe Fondacioni Gjerman Friedrich Erbert Stiftung (FES) themeluan më 2 qershor Sindikatën e të Vetëpunësuarve. Përmes këtij organizmi të vetëpunësuarit në Shqipëri kërkojnë të mbrojnë interesat e tyre në mënyrë demokratike.

Sindikata ka 324 anëtarë të cilët miratuan statutin, organet drejtuese dhe programin e punës. Përfaqësuesi i FES-it në Shqipëri, Frank Hantke, tha se FES mbështet themelimin e organizatave të shoqërisë civile prandaj edhe e përkrahën themelimin e Sindikatës së të Vetëpunësuarve.

“FES beson se grupet e interesit të forta dhe të pavarura janë të nevojshme në një demokraci në mënyrë që të lobojnë dhe luftojnë për interesa të tyre”, – tha Hantke.

Ai gjithashtu theksoi se sindikata do të jetë e pavarur dhe autonome në të gjitha veprimataritë.

“Demokracia shqiptare ka nevojë për grupe të forta dhe të pavarura interesi si një domosdoshmëri korrektuese në politikë bërje. Politika në demokraci nuk është vetëm një çështje e politikanëve por e të gjithë qytetarëve dhe grupeve të tyre të interesit”, deklaroi përfaqësuesi i fondacionit gjerman.

Të vetëpunësuarit në Shqipëri përbëjnë rreth një të tretën e totalit dhe kanë një peshë të rëndësishme në ekonomi, sepse sipërmarrjet në vend janë kryesisht të vogla dhe punësojnë 1-4 punonjës.

Pin It