35 borxhlinjtë e këqinj, vendimi i BSH muajin tjetër

2154-1024x768

Në fund të marsit 2016 Banka e Shqipërisë do të hartojë një plan të detajuar për trajtimin e 35 mbajtësve më të mëdhenj të kredive të këqija. Të dhënat zyrtare tregojnë se 35 kompanitë në fjalë, emrat e të cilave nuk bëhen publike, kanë mbi 52 përqind të totalit të kredive me probleme. E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se këto kompani ose grupe tregtare kanë gati 500 milionë dollarë kredi të këqija, duke u shndërruar në burimin kryesor të pasigurive në sistemin financiar dhe ekonominë kombëtare.

Procesi për evidentimin e këtyre kompani nisi me kërkesën dhe ndihmën e FMN. Prej disa muajsh Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me bankat private, ku këto kompani kanë marrë kredi kanë analizuar jo vetëm bilancet, por edhe prespektivën e tyre për të ardhmen.

Plani që Banka e Shqipërisë do të paraqesë muajin tjetër do të detajojë pikërisht se ç’pjesë e këtyre kompanive do të lihen në treg dhe ç’pjesë do të çohen për falimentim. Paraprakisht është vendosur që 7 nga këto kompani të çohen në falimentim menjëherë pas miratimit të ligjit të ri për falimentin, pasi janë konsideruar si investime të humbura pa mundësi rimëkëmbjeje.

Kompanitë në fjalë kanë marrë kredi në rendin e dhjetëra apo dhe qindra milionë eurove në disa banka njëherësh. Trajtimi i tyre është pjesë e planit të përbashkët mes qeverisë dhe bankës për të zgjidhur çështjen e mprehtë të kredive të këqija.

Pin It