Afron “El Clasico”, vihen sërish përballë Messi dhe Ronaldo

el-clasico-1

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi këtë të shtunë do të vihen sërish përballë njëri-tjetrit në “El Clasico”-n që Reali i Madridit dhe Barcelona do të luajnë në “Camp Nou”.

Janë padyshim dy futbollistët më të mirë në botë dhe tashmë janë bërë edhe objekt studimesh. Messi dominon në aspektin e driblimit, ndërsa luzitani është ai që gjuan më shpesh në drejtim të portave kundërshtare.

Cristiano Ronaldo, që nga sezoni 2008-2009, kur u transferua te Reali e ka kaluar nivelin e 300 gjuajtjeve në portë, ndërkohë që në karrierën e tij ka shënuar 568 gola. Universiteti i Valencias shpjegon pikat e forta të Ronaldos në gjuajtjet me këmbë e më kokë. Sekreti i luzitanit qëndron në forcën e madhe që gjeneron nga trupi i tij. Sulmuesi arrin të mbajë stabël qendrën e gravitetit që i jep atij më shumë fuqi që e transmeton në këmbë në momentin që ai godet.

Shtatlartësia është një tjetër aspekt që favorizon luzitanin. Loja në ajër është një tjetër specialitet i Ronaldos. 31-vjeçari është ai që ka shënuar më shumë gola me kokë nga 2009 deri tani; 60. Ronaldo është i aftë që të kalojë mbrojtës më shtatlartë se ai. Kyçi qëndron në aftësinë e tij për të kërcyer duke krijuar një distancë të shkëputjes nga toka 50-55 cm si dhe në kohën për të qëndruar pezull në ajër.

Ndërsa specialiteti i Messit është driblimi. Janë plot 3 universitete që kanë studiuar këtë aftësi të argjentinasit, duke u bazuar në 100 gola të shënuar prej tij. Studimi tregon se Messi e kontrollon topin me pjesën e brendshme të këmbës për të avancuar më pas me të duke përdorur pjesën e jashtme. Jep pasime të shkurtra dhe ikën përpara me një shpejtësi të lartë që i jep mundësinë të evitojë mbrojtësit me lehtësi.

Sekreti i Messit qëndron tek truri i tij. Në këtë pikë është futbollisti më aktiv se të gjithë të tjerët, gjë që e lejon atë të marrë vendime të shpejta që befasojnë kundërshtarin. Ndryshmet e vazhdueshme të ritmit të lojës e bëjnë atë një prej dribluesve më të mirë të botës. Messi është futbollisti i 5 ligave më të rëndësishme që ka kryer më shumë driblime në sezonet e fundit. Momenti më i mirë i tij ishte në sezonin 2014/2015 kur kompletoi 307 driblime. Këtë sezon ai ka 53, dhe më mirë se ai ka bërë vetëm Neymar me 80 driblime.

Pin It