Prodhimet artizanale, së shpejti të certifikuara dhe të mbrojtura me ligj

57540594

Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë planifikon të mbrojë me ligj të gjitha prodhimet artizanale me qëllim tregtimin e tyre brenda standardeve dhe çmimeve të arsyeshme. Së shpejti një ligj i posaçëm do të kontrollojë dhe certifikojë prodhimet e ndryshme artizanale për të përmirësuar kushtet e këtij biznesi.

Gjatë vizitës në panairin e prodhimeve artizanale të zonës së Mirditës, të mbajtur në Durrës, ministri Blendi Klosi i siguroi gratë dhe vajzat se punimet e tyre do të jenë më të mbrojtura, biznesi më i sigurtë dhe fitimi më i mirë.

Klosi tha se projekte të tilla ndihmojnë edhe në fuqizimin e gruas ekonomikisht. Linjat e këshillimit, programet  e formimit profesional, mundësia për ngritjen  e ndërmarrjeve sociale janë disa nga nismat në proces që Ministri Klosi ftoi gratë t’i shfrytëzojnë për fuqizimin e tyre ekonomik.

“Varfëria zgjidhet me akses në tregun e punës. Ju nuk duhet absolutisht të ngeleni peng e idesë që në Shqipëri nuk ka punë, që nuk ju jep apo nuk ju merr njeri në punë. Në qarkun e Durrësit, ka shumë kërkesa për punësim dhe për të arritur në një prej tyre, duhen trajnimet. Prandaj ajo që ju kërkoj është të gjeni veten në programet e trajnimit që ofrohen nga qendra të ndryshme dhe sidomos nga zyrat e punësimit. Të kemi mundësinë që futja në tregun e punës të jetë mënyra e vërtetë e daljes nga varfëria. Nuk mund të ngelemi tek ndihma ekonomike” tha ai.

Pin It