Qytetet më të ndotura, shkak trafiku dhe makinat me naftë

ajri

Tirana, Elbasani dhe Fieri janë qytetet më të ndotura të Shqipërise dhe sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit shkaktarë të ndotjes janë shkarkimet e trafikut, të cilat mund të jenë edhe kancerogjene.

Sipas AKM ndotja e ajrit në këto qytete e kalon normën e Bashkimit Europian dhe një prej shkaktarëve kryesorë janë makinat me naftë.

Ndotësit kryesorë të ajrit aktualisht janë LGS bloza, grimcat PM10, monoksidi i karbonit, hidrokarburet policiklike aromatike (HPA) dhe ndotësit fotokimikë (ozoni e bioksidi i azotit), të lidhur thuajse tërësisht me shkarkimet e trafikut në Shqipëri.

Shkarkimet e automjeteve me naftë, sipas Agjencisë, janë përgjegjës për shumicën e grimcave PM10 në ajër, ku pjesa më e madhe e tyre, në sasinë e blozës së përgjithshme, varion nga 80­90 % të sasive totale te PM10, të hasur në ajrin urban.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit rekomandon rinovimin e flotës së automjeteve dhe përmirësimin e raportit për automjetet që përdorin si lëndë djegëse benzinën e gazin, përmirësimin e trafikut urban, respektimin e normave mjedisore në punimet e infrastrukturës rrugore dhe në sektorin e ndërtimit, si dhe në menaxhimin e mbetjeve.

Pin It