Trepça, në pritje të statusit

trepca-01

Statusi i pazgjidhur i “Trepçës” ka bërë që viti 2015 të jetë vit i rëndë, vit i pamundësisë për progres zhvillimor, ka thënë drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, duke folur për të arriturat dhe vështirësitë me të cilat menaxhmenti është përballur në vitin 2015.

Megjithatë, Tmava ka shtuar se definimi i statusit të “Trepçës” nuk është larg.

“Ne jemi në pritje të definimit të statusit zhvillimor të ‘Trepçës’ dhe unë besoj se kjo do të ndodhë shpejt”,  ka thënë Tmava për “Zërin”, i pyetur për gjendjen aktuale në gjigantin kosovar, pas një viti, të cilin ai e ka cilësuar të vështirë. Ai tha se është në kontakte të përhershme me institucionet më të larta të vendit, në përpjekje të përbashkëta për të gjetur zgjidhje për “Trepçën”.

Sipas Tmavës, çdo prolongim nënkupton pasoja të cilat veç mund të paramendohen, sepse siç tha ai, “natyra e aktiviteteve minerare kërkon kontinuitetin dhe të gjitha këto telashe vënë në pah nevojën emergjente që Qeveria ta procedojë një ligj të veçantë për ‘Trepçën’ në Kuvendin e Kosovës dhe të vihet deri te një status zhvillimor i cili definitivisht do të reflektojë fuqinë reale të efektit ekonomik që është në pritje të shumë qytetarëve të vendit”. Sipas tij, statusi i pazgjidhur i “Trepçës” është gjenerator i të gjitha vështirësive dhe ngecjeve në ndërmarrje.

“Eksploatimi i xehes në Stan Tërg është 127.980 tonë, ose 12 për qind më pak se në vitin e kaluar, ndërsa në Artanë 9 për qind më pak, që krahasuar me përqindjen e aspektit kohor të pengimit reflekton humbje, një humbje e amortizuar që na ka mundësuar të mbijetojmë në këtë periudhë”, ka thënë Tmava.

trepca 2-01

Për drejtorin Tmava, në “Trepçë” janë grumbulluar shumë probleme, të cilat kërkojnë zgjidhje dhe se zgjidhjet shihen vetëm me përcaktimin e statusit të “Trepçës”.

“Ka probleme, mirëpo kemi bërë një mobilizim të shtuar që të kalojmë këtë situatë dhe në këto momente të fundit, kur po hyjmë në statusin zhvillimor të ‘Trepçës’”, pohon drejtori Tmava, i cili siguron se vitin 2016 ka nisur mbarë dhe se prodhimi i koncentratit të plumbit dhe zinkut është duke shkuar sipas planit.

Sipas tij, zgjidhja e statusit të “Trepçës” është dashur të ndodhë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, gjë që do të ndikonte edhe në rritjen e numrit të të punësuarve dhe rritjen ekonomike.

Statusi i gjigantit ekonomik kosovar, vazhdon të mos jetë i definuar, ndonëse zgjidhjen e statusit e kishte premtuar kryeministri Isa Mustafa në janarin e vitit 2015, pas protestave të partive opozitare, të cilat kanë kërkuar që të miratohet ligji i veçantë për “Trepçën” për ta kthyer atë në ndërmarrje publike. Tani kur është bërë një vit nga premtimet e kryeministrit Mustafa, asnjë strategji, apo ligj lidhur me “Trepçën” nuk është proceduar në Kuvendin e Kosovës.

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, thotë se ka ardhur koha për ta definuar statusin e ndërmarrjes dhe se për këtë çështje ka biseduar edhe me kryeministrin Mustafa.

Në anën tjetër, kryeministri Isa Mustafa, gjatë një takimi që kishte pasur më herët me menaxhmentin e “Trepçës” kishte thënë se për “Trepçën” mund të bisedohet në pikëpamje të së ardhmes pronësore të saj, me një kombinim të pronësisë publike dhe të bashkëpronësisë, ose të një pjese të pronësisë private dhe të privatizimit të aseteve, të cilat nuk i nevojitem më “Trepçës” dhe që do të ishte ngarkesë për të, siç janë bizneset që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me ndërmarrjen.

Kajtaz Gecaj – Zëri

Pin It